Universiteti Amerikan të Tiranës (UAT) i projektuar për të qenë një nga institucionet arsimore më prestigjioze jo vetëm në vend por edhe në rajon, ka arritur të sjellë në Shqipëri Universitetin e Sheffield, një nga universitetet më të mira britanike në nivel botëror.
Një nga prioritetet në strategjitë e Universitetit Amerikan të Tiranës është partneriteti me institucione universitare të standartave më të larta Evropiane dhe Amerikane me qëllim ndërkombëtarizimin e diplomave.UAT ka arritur tashmë të fitojë besimin e disa universitete të huaja të niveleve të shkëlqyera për të bashkëpunuar si i barabartë.
Marrëveshja e nënshkruar së fundmi midis UAT dhe Universitetit të Sheffield gjatë konferencës për shtyp në mjediset e British Council, shënon konkretizimin më të rëndësishëm për arritjen e këtij objektivi madhor.Në praninë e Shkëlqesisë së saj, Znj. Fiona Mcllwham, Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri dhe Znj. Nora Malaj, Zv/ Ministre e Arsimit dhe Shkencës, marrëveshjen ndërmjet dy institucioneve e nënshkruan Administratori i Përgjithshëm i Universitetit Amerikan të Tiranës, Lulëzim Ndreu dhe Prof. Panagiotis Ketikidis, Anëtar i Senatit të Universitetit të Sheffield dhe Pro/Rektor i Kërkimeve, Inovacioneve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në këtë universitet.
Ambasadorja Britanike e vlerësoi investimin në edukim si investim për një të ardhme me qytetarë të përgatitur denjësisht. Për më tepër ajo u shpreh: “Jam e lumtur që marr pjesë në konkretizimin e një mundësie të tillë arsimimi, ku një Universitet Britanik i një niveli të tillë bashkëpunon me një Institucion të arsimit të Lartë në Shqipëri, siç është Universiteti Amerikan i Tiranës. Ky është një shembull konkret dhe i shkëlqyer dhe ne presim në të ardhmen frytet e kësaj pune.”
Ndërkohë, Zv/ Ministrja Nora Malaj e cilësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje si një ngjarje veçanërisht të rëndësishme për arsimin e lartë shqiptar. “Ndjehem shumë e privilegjuar që në rrugëtimin e gjatë të sistemit arsimor shqiptar nuk përballemi më vetëm me mendjet e ndritura të kombit shqiptar, por përballemi edhe me mendjet e ndritura të shkencës botërore, duke ju afruar modelit më të mirë që momentalisht është modeli anglez. Dokumenti që po nënshkruhet sot do të mbetet në histori si i pari i këtij lloji që vendos një bashkëpunim afatgjatë në standardin e cilësisë më të mirë botërore. Sot, në Universitetin e Sheffield, një nga 100 universitetet më të mira të botës, edhe studentët shqiptarë që do të zgjedhin Universitetin Amerikan të Tiranës, kanë mundësi të bëhen pjesë e modelit bashkëkohor. Jam e bindur se studentët dhe pedagogët nuk do të lodhen për të përfituar eksperiencat më të mira. Falenderoj pedagogët e Universiteti të Sheffield që do të japin këtu mësim me kolegët shqiptarë si pjesë e familjes së integruar Europiane.”
Ai që e mbylli këtë konferencë për shtyp ishte Anëtari i Senatit të Universitetit të Sheffield, Prof. Ketikidis i cili e vlerësoi këtë mundësi studimi për studentët shqiptarë si unike pasi tashmë në Tiranë ndodhet një universitet i nivelit të lartë, bazuar në standarde ndërkombëtare. Për më tepër ai u shpreh: “Ky është një event kombëtar për arsimin në Shqipëri. Ne ndodhemi këtu sepse gjetëm një partner të besueshëm që ndan të njëjtat vlera me ne: arsim cilësor dhe shërbim ndaj studentëve, me përkujdesje të veçantë për ta, dhe ky është Universiteti Amerikan i Tiranës, me infrastrukturë të shkëlqyer dhe personel të kualifikuar që ka mentalitetin e duhur. Gjithashtu, progresi në fushën akademike që kanë fituar studentët shqiptarë në shkollat tona përbën një arsye të fortë pse ne jemi këtu. Universiteti i Sheffield, si institucion 105 vjeçar, i cili ka grumbulluar ndër vite një eksperiencë të çmuar në fushën e mësimdhënies, do të ofrojë këtë ekspertizë dhe metodologji në kontekstin Shqiptar. Jemi të bindur që Universiteti i Sheffield në partneritet të plotë me Universitetin Amerikan të Tiranës do të japë një kontribut të konsiderueshëm në përparimin e mbarë arsimit të lartë shqiptar.”
Marrëveshja UAT – Universiteti i Sheffield
Universiteti i Sheffield, nëpërmjet Fakultetit Ndërkombëtar “City College”, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të ofruar arsim Britanik të nivelit të lartë dhe cilësor për komunitetin studentor të Europës Juglindore, në partneritet me Universitetin Amerikan të Tiranës, ofrojnë disa programe studimore në Shqipëri duke filluar nga Tetori i vitit 2010.
Studentët shqiptarë kanë mundësinë të specializohen në dy drejtime mjaft atraktive për tregun global të punësimit: MSc (Master i Shkencës) në Menaxhim Biznesi dhe Teknologji, si dhe MA (Master i Arteve) në Marketing, Reklamë dhe Marrëdhënie me Publikun. Për diplomën e nivelit Master, leksionet do të zhvillohen për dy fundjava në muaj, në një kohëzgjatje totale prej dy vjetësh.
Fushat e studimit që ofrohen në nivelin universitar Bachelor janë: Biznes, Psikologji dhe Shkenca Kompjuterike. Këto janë programe katër vjeçare gjatë së cilave studentët do të studiojnë për dy vjet në Tiranë dhe më pas mund të zgjedhin të përfundojnë studimet për dy vitet në vijim në Universitetin e Sheffield (Britani e Madhe) ose pranë Fakultetit Internacional të Universitetit të Sheffield - CITY College në Selanik (Greqi).
Në përfundim të programeve studimore, studentët pajisen me diplomë të Universitetit të Sheffield. Lëndët mësimore do të zhvillohen në gjuhën angleze. Kjo është një mundësi unike për studentët shqiptarë të cilët dëshirojnë të fitojnë avantazhin e studimeve pranë familjeve të tyre duke minimizuar kostot, por në fund të studimeve do të pajisen me një diplomë të njohur të standarteve më të larta globale. Diplomat e Universitetit të Sheffield janë një garanci për punësim dhe zhvillimin e një karriere të suksesshme për të diplomuarit. Aktualisht, të gjithë studentët shqiptarë të cilët kanë pasur mundësinë të diplomohen nga Universiteti i Sheffield janë punësuar jo vetëm në sektorin publik dhe privat në Shqipëri, por kudo ku jetojnë. Madje disa prej tyre kanë avancuar në fushën akademike dhe kërkimore duke fituar grada të larta shkencore.
Universiteti i Sheffield
Universiteti i Sheffield është një nga Universitetet më të vjetër Britanikë, një universitet lider në fushën e kërkimeve shkencore me vendndodhje në Sheffield, South Yorkshire, Angli. Universiteti i Sheffield renditet midis 100 Universiteteve më të mirë të botës dhe vazhdimisht klasifikohet si një ndër njëzet universitetet më të mira në Britaninë e Madhe. Aktualisht, Universiteti i Sheffield ka 24,000 studentë nga 124 vende të botës dhe 6000 persona si staf, duke e bërë zgjedhjen e parë të shumë aplikantëve.
Sipas rankimeve të universiteteve,Universiteti i Sheffield bën pjesë në 1 % të universiteteve më të mira në botë.
Kontakte:
Tel: (+) 355 67 20 01 110
Email:
This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it