Sportisti shqiptar dhe studenti i vitit të parë në Fakultetin Juridik të Universitetit Amerikan të Tiranës, Adrian Hadribeaj, është shpallur fituesi i turneut “British International Karate Open 2010”, zhvilluar në Londër në 23 dhe 24 janar, 2010.
Studenti i UAT, talenti i karatesë shqiptare Hadribeaj, fitoi 13 nga 14 duele në këtë turne ku morën pjesë 300 karateistë nga Europa. Sportisti 19-vjeçar nga Tirana fitoi vendin e parë për senior në kategorinë “open”. Gjithashtu, ai arriti të fitojë edhe vendin e dytë në kategorinë e peshës 84 kg.
Presidenti i “British International Karate Open 2010” i ka dorëzuar karateistit shqiptar dy medalje, një ari dhe një argjendi. Pas marrjes se këtyre dy medaljeve, Hadribeaj u shpreh se ndjehej i emocionuar për këtë arritje dhe krenar për Shqiperinë, i cili është një vend i vogël, por arrin të përgatisë sportistë të një kalibri të lartë që fitojnë medalje edhe në të tilla evenimente ndërkombëtare sportive.
Në këtë aktivitet sportiv në Londër, Hadribeaj shoqërohej nga presidenti i Federatës Shqiptare të Karatesë, Parid Dule dhe trajneri i ekipit kombëtar, Ramiz Ismailgeci.
“Ky rezultat fantastik në Londër që arriti Adriani, na bën të kemi besim për të fituar një nga tre medaljet në kampionatin europian të karatesë që do të mbahet në Izmir të Turqisë gjatë muajit shkurt të këtij viti,” ka deklaruar trajneri Ismailgeci.
Universiteti Amerikan i Tiranës është krenar për studentin e Fakultetit Juridik, Adrian Hadribeaj dhe i ofron atij mbështetjen e nevojshme.