Intervista e Z. Lulëzim Ndreu, Administratori i Përgjithshëm i UAT publikuar nga WORLD INVESTMENT NEWS
Bashkëngjitur mund të lexoni intervistën Z. Lulëzim Ndreu, Administratori i Përgjithshëm i Universitetit Amerikan të Tiranës, e realizuar nga World Investment News:
Cila është historia e Universitetit Amerikan të Tiranës? Cila është ideja themelore e krijimit te tij?
UAT (Universiteti Amerikan i Tiranës) është një institucion i arsimit të lartë privat i themeluar në fillim të vitit 2008. UAT është pjesë e “Albanian-American Educational Group”. Gjithashtu, pjesë të këtij grupi janë:
MEDICOM – një rrjet kolegjesh profesionale mjekësore të shpërndara në gjithë Shqipërinë
ACT (American College of Tirana) – një institucion arsimor ku ofrohet arsim fillor, 9-vjeçar, dhe i mesëm
MEDIC ONE – Rrjet klinikash mjekësore, të shtrira në pjesën më te madhe të territorit shqiptar, të cilat shërbejnë si bazë praktike për studentët. Gjithashtu, klinikat mbështesin shërbimet tona nëpërmjet bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe aktiviteteve në fushën e farmacisë sipas programeve të planifikuara.
Sipas një studimi të zhvilluar nga AAEG në vitet 2004-2005 në lidhje me nevojat që shfaqen për personel të kualifikuar për sa i përket shërbimeve shëndetësore dhe mjekësore, Shqipëria kishte dy deri në tre herë më pak mjekë, stomatologë, infermierë dhe farmacistë për 100,000 banorë krahasuar me vendet e tjera Evropiane. Për më tepër, nevoja për personel mjekësor u rrit edhe më shumë për shkak të periudhës së tranzicionit që kaloi Shqipëria pas viteve ’90-të, si dhe lëvizjeve të mëdha demografike të popullsisë.
Në vitin 2005, pas një studimi të hollësishëm, AAEG filloi aktivitetin e tij me MEDICOM, një shkollë dy-vjeçare që përgatit profesionistë të specializuar. Që prej asaj kohe, specialistët e trajnuar nga MEDICOM janë angazhuar jo vetëm në nivel lokal por kanë plotësuar edhe nevojat për personel në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Në vitin 2006, MEDICOM filloi të përgatisë infermierë për tregun Amerikan duke ofruar kurse në lidhje me provimet SGFNS dhe NCLEX që pas nënshkrimit të dy kontratave të bashkëpunimit me dy kompani Amerikane. Në të njëjtin vit, MEDICOM filloi të përgatisë infermierë për tregun Evropian të punës duke respektuar te njëjtat standarde, në baze të një marrëveshjeje bashkëpunimi që nënshkroi me një kompani Italiane. Gjithashtu, AAEG firmosi një marrëveshje me distributorin e Siemens në Shqipëri, për të pajisur MEDICOM me dhjetë laboratorë dhe pesë klinika, duke krijuar kështu rrjetin e klinikave dhe qendrave diagnostikuese MEDIC ONE. Këto njësi ndihmuan për të zgjeruar dhe për të rritur aktivitetin dhe cilësinë e studentëve dhe shërbimeve. Aktualisht, te gjitha klinikat dhe laboratorët e grupit janë në proces certifikimi me ISO 9001:2008 për sa i përket cilësisë së shërbimeve dhe akreditimi për ISO/IEC 17025 (për Laboratorët e Analizave). Ky proces është ndërmarrë nga specialistë të Cilësisë dhe nën supervizimin e një Komisioni Ndërkombëtar Çertifikimi si dhe Komisionit Shqiptar të Akreditimit.
Në vitin 2007, AAEG zgjeroi aktivitetin e tij në fushën e arsimit të lartë. Duke konsideruar kërkesën në rritje për arsimin dhe hapësirën e krijuar nga Qeveria Shqiptare për të zhvilluar sektorin e arsimit privat, AAEG themeloi Universitetin Amerikan të Tiranës. Sot, UAT konsiston në pesë njësi Akademike: Fakulteti Mjekësor, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomikut, Fakulteti i Arteve dhe i Shkencave, dhe Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës. Një numër prej 800 studentësh frekuentojnë rregullisht programet akademike ndërkohë që AAEG bashkëpunon ngushtë me Institucione Ndërkombëtare. Gjithashtu, janë në proces për t’u aplikuar programet pasuniversitare dhe të mësuarit në distancë (e-learning).
Për më tepër, UAT është duke ndjekur procedurën e Vlerësimit Akademik që do të çojë në akreditimin e Universitetit, të njohur në nivel Evropian.
Duke kuptuar rëndësinë e cilësisësë arsimit të lartë dhe atij parauniversitar, në vitin 2008 AAEG themeloi Kolegjin Amerikan të Tiranës, një Institucion arsimor që ofron arsim në nivel 9-vjeçar dhe të mesëm.
Në vitin 2009, rrjeti MEDICOM u ngrit në nivel universitar duke ofruar diploma të arsimit të lartë.
Të gjitha këto institucione së bashku, MEDICOM, MEDIC ONE, ACT dhe UAT e bëjnë angazhimin dhe investimin e AAEG në fushën e arsimit të lartë jo vetëm një nga më të rëndësishmit, por gjithashtu ndër institucionet akademike më të dalluara në Shqipëri dhe në rajon.
Cilat ishin burimet financiare të grupit? U krijuan vetëm me kapital shqiptar apo edhe me partneritet amerikan?
Grupi (AAEG) u themelua në Shqipëri nga një grup shtetasish Shqiptarë dhe Shqiptarë-Amerikanë, duke përfshirë edhe mua si pjesëtar të këtij grupi. Suksesi u bë i mundur si pasojë e nevojave të tregut, sistemit bankar mbështetës dhe mbështetjes së bashkëpjesëtarëve/ themeluesve të Universitetit.
Duke folur për partneritete ndërkombëtare me universitete të tjera, ne e dimë se UAT ka partnerë në Austri dhe Itali për shembull. Cila është strategjia juaj, nëse kini një të tillë, për të krijuar partneritete me universitete në SHBA?
UAT është në proces bashkëpunimi me institucione arsimorë dhe qendra kërkimore në Evropë, Kanada, dhe SHBA, në mënyrë që të ofrojë për të diplomuarit tanë më të mirën e edukimit me një perspektivë globale.
Në përpjekjet tona të para për të internacionalizuar diplomat, ne u kontaktuam nga Teykio Loretto Heights University në Denver, Colorado, i cili pranoi që disa prej studentëve tanë të transferoheshin atje për Studime Internacionale. Por ky ishte vetëm fillimi. Momentalisht, ne jemi duke bashkëpunuar me Universitetin e Pizës (Itali), Universitetin e Firenzes (Itali), Universitetin e Pescarës (Itali), Universitetin e Vienës (Austri) dhe Universitetin e Pireut (Greqi).
Bashkëpunime të mëtejshme janë nën proces, duke iu referuar atyre për diploma të përbashkëta dhe studime të reja pasuniversitare me universitete të akredituara Evropiane dhe Britanike.
Për të siguruar cilësinë dhe mbarëvajtjen e procedurave, ne kemi rënë dakord në parim me një nga Komisionet e Certifikimit më të mëdha në botë, Bureau Veritas, dhe një qendër trajnimi do të akomodohet në mjediset tona, me perspektivë për tu zgjeruar në vendet rajonale, si për shembull në Kosovë. Përgjithësisht aktiviteti do të jetë i orientuar drejt popullsisë dhe kompanive shqipfolëse. Qendra e trajnimit fillon aktivitetin e saj brenda këtij muaji për auditin e Brendshëm dhe Udhëheqës për të gjitha sistemet dhe standardet e cilësi.
Ne jemi shumë të interesuar të bashkëpunojmë me universitete të akredituara në të gjitha projektet tona akademike dhe kërkimore. Momentalisht, ne jemi duke studiuar me kujdes partneritete të mundshme me universitete amerikane ku mund të konkludojmë në marrëveshje për diploma të përbashkëta. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të rrisim standardet tona akademike me qëllim që të bëhemi një institucion edhe më tërheqës për partneritete të mundshme në të ardhmen.
A mund të na thoni më tepër rreth projekteve të UAT dhe AAEG?
Ky është tashmë një projekt i madh dhe i suksesshëm me të cilin krenohemi të gjithë por, gjithsesi, projekti ka shumë faza zhvillimi. Prioriteti për ne tani është projekti për një kampus të ri, një investim me një buxhet prej 30 milion dollarë amerikanë, një projekt unik për realitetin akademik shqiptar. Sipërfaqja e kampusit është përafërsisht 30.000 metër katrorë dhe mbulon një sipërfaqe (ndërtesash) e përllogaritur në rreth 45.000 metra katrorë, në kohën kur projekti do të përfundojë në vitin 2011.
Kampusi i ri do të na japë mundësinë për të rritur kapacitetin e universitetit nga 1500 në 8.000 studentë. Gjithashtu, UAT do të vazhdojë të ketë numër të kufizuar studentësh në degët e saj nëpërmjet standardeve që ne kemi implementuar, por do të rrisë modulet dhe diplomat e ofruara në nivelin universitar dhe pasuniversitar me programe të reja të mbështetura nga bashkëpunimet e sipërpërmendura.
Duke iu referuar projekteve të AAEG, ne jemi duke zgjeruar aktivitetet tona arsimore në shkollat fillore dhe të nivelit të mesëm në të gjithë Shqipërinë
Produkti i çdo universiteti është të krijojë liderët e së ardhmes, qofshin këto në politikë, ekonomi, shkencë dhe kështu me radhë. Si një prej themeluesve dhe drejtuesve aktualë të UAT, sa i rëndësishëm mendoni se është roli i ofrimit të njohurisë për udhëheqësit e shoqërisë Shqiptare?
Unë besoj se duke konsideruar përmasat dhe zgjerimin e AAEG, pavarësisht moshës së re të këtij grupi, ne tashmë jemi bërë një faktor në treg. Më shumë se 50 % e të diplomuarve në MEDICOM janë punësuar tashmë në sistemin mjekësor shqiptar dhe të huaj.
Përsa i përket UAT, unë besoj se tashmë renditet midis universiteteve më të mira në Shqipëri për shumë arsye. Së pari, ka një numër të kufizuar studentësh e cila garanton cilësi të mësimit në klasa të vogla. Së dyti, UAT është një nga të vetmit për dijeninë tonë ku aplikohet provim pranimi. Së treti, ne jemi treguar të kujdesshëm në përzgjedhjen e stafit tonë akademik vendas dhe të huaj. Së katërti, ne jemi universiteti i parë deri në këto momente i cili po përpiqet për të internacionalizuar diplomat nëpërmjet bashkëpunimeve ndërkombëtare. Cilësia e edukimit e ofruar nga universiteti ynë garanton që të diplomuarit tanë të ardhshëm do të renditen midis liderëve të shoqërisë shqiptare.
Si e shikoni ju të ardhmen tuaj në sektorin arsimor në Shqipërisë ku shumë universitete private janë duke u hapur? Ju tashmë jeni duke vendosur standarde të larta në treg, por e dëshirojmë të njohim cila është strategjia e UAT për të ruajtur standardet e saj në të ardhme dhe, pse jo, të rrisë edhe numrin e studentëve?
“Cilësia është e lirë për të gjithë.” Varet se kush është i orientuar drejt cilësisë për të vendosur kushtet më të mira të mundshme për progresin akademik. Ne ndjehemi se jemi ndër të paktët, jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon që ndjekim këto standarde.
Në përgjigjen time, është e qartë pse ne insistojmë për të patur një numër të kufizuar studentësh nëpërmjet procedurave të provimeve, për të përzgjedhur studentët më të mirë. Ne garantojmë të ardhmen e tyre dhe jemi të bindur se ata do të jenë “ambasadorët” tanë për të dëshmuar cilësinë tonë akademike dhe besimin se do të ecim drejt një përmirësimi të vazhdueshëm si Universitet i akredituar.
A mund të na thoni më tepër rreth përvojave tuaja profesionale?
Pas diplomimit në Fakultetin e Juridikut të Universitetit të Tiranës, fillova punë në Ministrinë e Shëndetit, Departamenti Juridik. Brenda pak viteve, u bëra drejtor i Departamentit Juridik, një pozicion të cilin e mbajta për 10 vjet. E konsideroj çdo punë si një sfidë dhe përpiqem të ofroj më të mirën e vetes. Një nga arritjet e mia më të mëdha ka qenë iniciativa për të patur një ligj anti-duhan në Shqipëri, i cili u bë realitet. Megjithëse ligji hasi në mjaft pengesa gjatë implementimit, unë akoma besoj se ligji në vetvete është një hap i rëndësishëm përpara për shoqërinë shqiptare. Duke punuar për dhjetë vjet si drejtor i Departamentit Juridik në Ministrinë e Shëndetësisë më ka dhënë mundësinë jo vetëm të specializohem në çështje ligjore që i përkasin sistemit dhe sektorëve shëndetësorë, por gjithashtu të specializohem në shumë standarde të BE-së që Shqipëria nevojitet të implementojë si pjesë e procesit të integrimit. Unë kam punuar me shumë grupe përgjegjëse për implementimin e këtyre standardeve dhe përgatitjen e shumë strategjive të lidhura me këto sektorë.
Pse u zhvendosa në sektorin e arsimit? Për diplomimin në studimet e mia universitare, zgjodha si temë disertacioni «Kriminaliteti dhe emigracioni ». Profesori i cili ishte udhëheqësi im i disertacionit e vlerësoi punën time dhe i propozoi Fakultetit Juridik për tu punësuar në Departamentin e Kërkimit Shkencor. Ai më përgëzoi duke më thënë se teza ime nuk ishte thjesht mbrojtje diplome, por mund të quhej lehtë si një disertacion doktorature. Ai më kërkoi që të ndiqja një karrierë në fushën akademike. « Ka shumë avokatë, ka shumë gjykatës, dhe ka shumë prokurorë, por ka pak akademikë. Ti mbase nuk e kupton për momentin, por unë mund ta shoh tek ti”. Në fakt ai kishte të drejtënë një farë mënyre. Unë kam marrë pjesë në shumë konferenca vendase dhe ndërkombëtare ku shkrimet e mia kanë qenë mjaft të suksesshme. Gjithsesi, këtu ku jam tani ndjehem i përmbushur.
Çfarë mund të thoni se janë degët më të kërkuara nga maturantët?
Mendoj se tani jam në situatën e favorshme për tu përgjigjur kësaj pyetje. Ne kemi përfunduar një studim në treg i cili përfshiu gjysmën e 43,000 të maturantëve shqiptarë të vitit të kaluar nga sistemi i mesëm arsimor. Sipas këtij studimi, dega më e kërkuar ishte juridiku, e ndjekur nga ekonomiku. Gjithashtu, studimi konfirmoi atë që ne ishim në dijeni edhe më parë. Gjithsesi, degët paramjekësore renditeshin në vendin e tretë dhe kjo ishte interesante. Por sistemi arsimor ishte i orientuar drejt kërkesave për degët para-mjekësore të tregut. Shkencat Politike ishin zgjedhja e katërt e maturantëve.
Ajo që konstatuam ishte se studentët me rezultate më të larta ishin të prirur për të zgjedhur degën e Juridikut.
Opinioni im për këtë studim, si një avokat me eksperiencë, është që shteti shqiptar përsa i përket ligjeve dhe rregullave ka nevojë të fuqizohet dhe të avancojë drejt një mjedisi ligjor ndërkombëtar dhe harmonizimit me procedurat ligjore të BE-së. Si rrjedhim, ka mjaft hapësirë për juristët e rinj të këtij vendi, duke konsideruar gjithashtu se ne jemi në proces të integrimit në BE. Një kërkim tjetër është duke u realizuar në tregun e punës për të vlerësuar mundësitë e punës në tregun vendas dhe të huaj.
Çfarë mund të na thoni në lidhje me studentët Shqiptaro-Amerikanë të cilët mund të interesohen për një edukim cilësor? UAT duket se ka arritur tashme standardet që kërkojnë studentët amerikanë. A e konsideroni idenë për të tërhequr këta studentë në universitetin tuaj?
Qëllimi ynë është që pasi të kemi arritur akreditim të plotë të standardeve Evropiane, ne do të punojmë për të arritur akreditimin e standardeve Amerikane. Ne kemi filluar tashmë procesin e përgatitjeve. Vetëm atëherë ne do të jemi në gjendje për të mirëpritur studentët Amerikanë në UAT, pavarësisht nga origjina e tyre etnike.
Gjithashtu ne ju kemi bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të cilët kanë një karrierë të suksesshme akademike dhe kërkimore për t’u bashkuar me universitetin tonë. Disa prej tyre japin mësim në disa prej universiteteve më të mira në botë, si për shembull London School of Economics dhe shumë universitete të tjera Amerikane, Britanike dhe Evropiane. Jam i lumtur të them se kemi marrë përgjigje pozitive dhe jemi duke pasuruar stafin tonë akademik në mënyrë të vazhdueshme.
Cili është mesazhi juaj final për lexuesit e US News dhe World Report dhe investitorët amerikanë të cilët mund të interesohen për të investuar në Shqipëri?
Së pari, dëshiroj të falenderoj US News & World Report që na ofruan mundësinë për të folur dhe paraqitur disa prej arritjeve tona.
Së dyti, kam besim se Universiteti Amerikan i Tiranës është duke ecur sipas modeleve më progresive arsimore. Ne vlerësojmë shumë modelin amerikan të arsimit dhe kjo është ajo që po përpiqemi të sjellim në Shqipëri, është një model ku teoria dhe praktika kombinohen me praktikat e mësimdhënies duke përdorur teknologjinë bashkëkohore.
Përsa i përket pyetjes rreth mundësive për të tërhequr investitorë te huaj në Shqipëri, UAT ofron një nga shembujt më të mirë të mundshëm pasi edukon dhe përgatit profesionistë të ardhshëm me standarde të larta të afirmuar që patjetër do të thithen nga sektori publik dhe privat, duke krijuar kështu forcën dinamike më të mirë për investitorët nga SH.B.A dhe nga shtete të tjera.