Universiteti Amerikan i Tiranës sjell në Shqiperi modelin amerikan të edukimit duke kombinuar teorinë dhe praktikën, si edhe teknologjinë me mësimdhënien. UAT ka përparësi zhvillimin e aftësive analitike, kultivimin e mendimit të pavarur dhe inkurajimin e nismave personale tek të gjithë studentët e tij. Këto parime pasqyrohen mjaft qartë nëpërmjet kurrikulës dhe metodave të përditshme të mësimdhënies dhe studimit.
Pranë UAT ju do të gjeni klasa me numër të kufizuar studentësh. Kjo lejon një komunikim të plotë dhe ndërveprim të lartë midis pedagogëve dhe studentëve. Gjithashtu, secilit prej studentëve i kushtohet vëmendje e veçantë.
Leksionet kanë për qëllim të ofrojnë një paraqitje të gjerë të lëndës dhe të japin udhëzime për konsultimin e bibliografive kryesore dhe atyre të sugjeruara. Në UAT, gjatë leksioneve, përveç metodave klasike, ekziston edhe përdorimi i paisjeve moderne audio-vizuale për të përmirësuar efikasitetin e mësimdhënies. Mënyra e organizimit në klasa me numër të vogël studentësh lejon rritjen e cilësisë akademike dhe pjesëmarrjen aktive të tyre. Studentët nxiten që të bëjnë pyetje dhe të shprehin opinionin e tyre gjatë orës së mësimit.
Gjatë programit akademik parashikohen edhe praktika laboratorike. Kjo metodë mësimore paraqet një rëndësi të madhe sidomos për lëndët me prirje shkencore. Për këtë arsye, ekzistojnë orë të parashikuara laboratori të përfshira në program, ku studentët, në prani të pedagogëve, zbatojnë në praktikë njohuritë teorike të mësuara gjatë leksioneve.
Në shumë lëndë akademike, studentëve u kërkohet të paraqesin punimet e tyre fuke referuar para kolegëve të tyre dhe stafit akademik. Gjithashtu, ata nxiten të përgatisin punime në grup në lidhje me tematika të caktuara të cilat i përzgjedhin në mënyrë të pavarur. Pjesëtarë të stafit akademik këshillojnë studentët se si duhet të përgatisin dhe të prezantojnë punimet e tyre. Këto aktivitet rrisin vetëvlerësimin e studentëve dhe zhvillojnë aftësitë e tyre komunikuese dhe profesionale.
Diskutimet në panele të hapura e bëjnë mësimdhënien më tepër interesante, duke rriturnë të njëjtën kohë aktivizimin e studentëve. Ato ndihmojnë për komunikimin në mënyrë më të lehtë të informacionit. Panelet zhvillohen nga akademikë dhe profesionistë nga fusha të ndryshme, me një përgatitje akademike të konsiderueshme. Këto diskutime i ndihmojnë studentët të jenë në kontakt me çështje përtej fushës në të cilën studiojnë dhe të njihen me kushtet profesionale të përzgjedhjes së karrierës.
UAT fton shpesh ekspertë nga fusha të ndryshme për të mbajtur fjalime dhe për të transmetuar njohuritë dhe përvojën e tyre tek studentët. Këta ekspertë konsiderohen si udhëheqës në fushat e tyre të të specialitetit, duke zënë pozicionet më të larta në veprimtari të ndryshme. Për këtë arsye, studentët kanë mundësinë të prezantohen me raste reale dhe të diskutojnë për çështje konkrete të bizneseve lokale ose kompanive ndërkombëtare.
Studentët nxiten të marrin pjesë në seanca debati të ndryshme. Ata ndahen në grupe dhe përgatiten për të debatuar rreth tematikave reale shoqërore. Gjithçka realizohet në bashkëpunim me pjesëtarë të stafit akademik. Gjithashtu, paraprakisht studentët marrin udhëzime nga stafi përkatës akademik rreth bibliografisë së nevojshme në lidhje me tematikat e diskutimeve. Kjo metodë e përdorur u jep mundësinë studentëve të aftësohen për aplikimin e ideve të tyre profesionale në realitet, pasi pjesë e këtij proçesi është edhe argumentimi dhe konfrontimi me ide të ndryshme për të njëjtën çështje.
Projektet nga ‘jeta reale’ realizohen me ndihmën e kompanive kombëtare dhe ndërkombëtare, autoriteteve lokale, organizatave me drejtim vullnetar dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Studentët punojnë në bashkëpunim të plotë me ekspertët e fushës përkatëse, si edhe me pedagogët e tyre, për të realizuar projekte me tematika të ndryshme, duke vënë në zbatim njohuritë e fituara teorike.
Studentët këshillohen që të takohen me pedagogët e tyre personalisht dhe të diskutojnë problemet që i shqetësojnë. Gjithashtu, pedagogët thërrasin në takim studentët të cilët nuk tregojnë përparimin e domosdoshëm akademik dhe vendosin që ata t’u nënshtrohen orëve mësimore shtesë, duke i ndarë në grupe me 2-3 studentë ose individualisht. Pedagogët të cilët asistojnë gjatë tutorialeve bëjnë të mundur që kjo metodë të funksionojë sa më mirë dhe të japë rezultatin e dëshiruar në avancimin e studentëve. Zbatimi i këtij sistemi është bashkëkohor dhe kërkon një mirëkuptim e stafit akademik dhe studentëve, si dhe përgatitje të kujdesshme për ta realizuar atë me sukses.
Secilit prej studentëve i caktohet një Konsulent Personal i cili bën pjesë në stafin akademik të universitetit. Të gjithë studentët mund të takohen me këshilluesin e tyre dy herë brenda një semestri. Pavarësisht këtyre takimeve, ata mund të takohen në raste urgjente sa herë që dëshirojnë dhe kanë nevojë për konsultim, gjatë orëve të punës ose jashtë tyre.