Misioni i Qendrës së Këshillimit është përmirësimi i cilësisë së jetës studentore në UAT. Përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi realizohen nëpërmjet mbështetjes së specializuar të studentëve, duke u ofruar atyre trajtime parandaluese ose referime në qendra të tjera të profilizuara për çështje që mund të lindin gjatë periudhës së shkollimit.
Tranzicioni nga shkolla e mesme në universitet shoqërohet me ndryshime në aspektet emocionale, shoqërore dhe intelektuale. Zhvillimi i personalitetit dhe identitetit tek studentët arrin kulmin e tij pikërisht gjatë viteve të rinisë së hershme, të cilat përkojnë me jetën studentore. Si rezultat, kjo mund të shoqërohet me përjetime të stresit dhe të vështirësive personale. Studentët mund të hasin vështirësi me përballimin e jetësës larg familjeve të tyre, me krijimin e shoqërive të reja, me përshtatjen në një mjedis të rri jetese, si edhe me përgjegjësitë apo kërkesat akademike të studimeve të tyre.
Rrjedhimisht, studentët fillojnë të kuptojnë se tashmë i presin përgjegjësitë e një jete prej “të rrituri”. Gjithë këto ndryshime shpesh mund të ndikojnë tek formimi i studentëve. Disa prej tyre mund të kërkojnë ngushëllim në sjellje të rrezikshme dhe njëkohësisht të dëmshme për shëndetin, si për shembull: abuzimi me alkolin, përdorimi i drogës, probleme me ushqimin, etj. Gjithashtu, disa nga problemet e tjera psikologjike më të shpeshta që ndeshen tek studentët përfshijnë: depresionin, çrregullime nga ankthi, probleme familjare, konflikte midis atyre vetë, probleme në marrëdhëniet intime sentimentale, të panjohura lidhur me seksualitetin, si edhe të tjera.
Në mënyrë që të përmbushen të gjitha kërkesat e studentëve në lidhje me problemet e lartpërmendura, Qendra e Këshillimit në UAT planifikon të ofrojë shërbimet e mëposhtme:
- Shërbime këshillimi konfidenciale me afate të shkurtra.
- Trajtime parandaluese nëpërmjet udhëzimeve dhe trajnimeve në varësi të kërkesave dhe problemeve të shfaqura.
- Referime për shërbime me kohëtë zgjatur ose të specializuara.