EnglishShqip
Programi Master i Shkencave në Farmaci - Lista e Lëndëve PDF Print E-mail

Farmaci I

Matematikë, Statistikë e Fizikë
Matematikë
Synon t'i bëjë studentët:

  • Të njohin dhe të operojnë me konceptet themelore matematike që përdoren në lëndë të tjera të degës farmaci: ekuacione, matrica, sisteme lineare, vijat e fuqisë së parë (drejtëza), vijat e fuqisë së dytë, funksione, derivate, zbatime të derivateve.
  • Të zotërojnë funksionet kryesore që përdoren në modelime dhe veprime të ndryshme të profesionit.
  • Të lexojnë literaturë moderne mjekësore që përdor gjerësisht koncepte, simbole, metoda.

Tema të tjera janë:

  • Ngjarja
  • Probabiliteti
  • Probabiliteti i kushtëzuar.


Statistikë
Objektivi i këtij moduli është njohja me metodologjinë dhe teknikat e analizës statistikore, me shpërndarjen dhe karakteristikat e të dhënave, tipet e tyre, ngritjen dhe testimin e hipotezave dhe përdorimin e tyre në nxjerrjen e përfundimeve të rëndësishme në analizat laboratorike e mjekësore. Ky kurs synon:

  • Të ilustrojë aplikime të ndryshme të statistikës në fushën e mjekësisë.
  • Të njohë studentët me disa nga metodat më të rëndësishme statistikore të përdorura në kapjen dhe analizën e problemeve të shumëllojshme veçanërisht të lidhura me eksperimentet klinike dhe analizën e të dhënave mbi mostrat e pacientëve të cilët u janë nënshtruar trajtimeve të ndryshme mjekësore.


Fizikë
Njohja me ligjet dhe dukuritë themelore të fizikës. Njohja me dukuritë dhe ligjet bazë të fizikës në organizmin e njeriut. Njohja me parimet e fizikës të përdorura në aparaturat mjekësore. Objektivi i fundit i lëndës është të njohë studentin me aplikimet kryesore të fizikës në shkencat mjekësore e biologjike. Për këtë qëllim, zhvillimi i secilit argument plotësohet nga përshkrimi dhe diskutimi i disa shembujve domethënës aplikimesh. Këta shembuj janë trajtuar në nivel të përgjithshëm, pa hyrë në kompleksitetin e detajeve.

Informatikë
Në përfundim të këtij kursi studentët duhet të jenë të aftë të kenë njohuritë bazë për pjesët hardware, të kenë njohuritë bazë në sistemin e operimit Windows XP. Disa nga temat janë:

  • Eksplorim i Windows
  • Ndryshim konfigurimesh
  • Krijim, kopjim dhe fshirje dokumentash
  • Instalim programesh dhe hapjen e tyre
  • Njohuri bazë në paketën Microsoft Office, Micosoft Word, Micosoft PowerPoint


Gjuhë e huaj
Qëllimi i kësaj lënde është që t'u japë studenteve njohuritë bazë të terminologjisë mjekësore në gjuhën angleze. Në fund të këtij kursi studentët duhet:

  • Të kenë përvetësuar njohuritë themelore mbi fjalorin mjekësor të përdorur nga profesionistë në fushën e mjeksise.
  • Të dijnë përkufizimin e secilës prej fjalëve në fjalorin e dhënë.
  • Të jenë në gjëndje ta përdorin ketë fjalor në bashkëbisedime të thjeshta me profesionistë të tjerë mjekësore.

Objektiv i kësaj lënde është arritja e aftësive dhe njohurive gjuhësore të tilla që të lejojnë një zotërim të gjuhës në nivelin B2 në fushën profesionale.
Në terma të kompetencës gjuhësore instrumentale kjo lëndë synon të çojë studentin në një zotërim më të mirë të gjuhës, veçanërisht në

  • terma të zhvillimit dhe rritje të fjalorit aktiv të nevojshëm për të operuar në sektorin profesional
  • aftësive për të marrë pjesë në mënyrë aktive në diskutime formale mbi argumente rutinë ose jo të zakonshme
  • aftësi për të shkruar një dokument profesional, duke paraqitur argumente dhe motivime në favor ose kundër një këndvështrimi të caktuar duke shpjeguar avantazhet dhe disavantazhet nga pozicione të ndryshme
  • aftësi për të kuptuar dhe shpjeguar tekste të shkruara
  • aftësi për të komunikuar me lehtësi në gjuhë
  • njohuri të specificitetit në përdorimin e formave dhe strukturave të zakonshme


Kimi e përgjithshme e inorganike
Kjo lëndë ju jep studentëve njohuri të thelluara të parimeve të kimisë, duke patur parasysh konceptet e nevojshme për kuptimin e disiplinave të tjera që ata do të ndeshin gjatë këtij kursi studimesh. Leksionet do të japin bazat e kimisë së përgjithshme e inorganike, duke ju referuar veçanërisht strukturës kimike, lidhjeve kimike, stekiometrise, ekuilibrave në tretësire ujore dhe vetitë kimike të elementeve të tabelës periodike. Konceptet teorike do të plotësohen me ushtrimet në seminare.
Kursi synon të japë njohuri të thelluara të kimisë së përgjithshme dhe inorganike, të nevojshme për kuptimin e strukturave dhe të vetive të komponimeve kimike inorganike me interes më të madh, si dhe të dukurive kimike (reaksione kimike, ekuilibra kimike, pH, gaze). Në kurs janë përfshirë dhe ushtrime numerike për të plotësuar dhe integruar konceptet e marra nga studentët në pjesën teorike të kursit.

Biologji
Pajisja e studentëve me një njohuri të përshtatshme mbi organizimin strukturor dhe mbi mekanizmat bazë të qelizës shtazore, mbi raportet ndërqelizore, mekanizmat që kontrollojnë shprehjen gjenike dhe gjenetikën molekulare.
Do të merren në konsideratë mjedisi brendaqelizor, raportet midis qelizave dhe parimet e trashëgimisë.

Anatomi
Qëllimi i kësaj lënde është të përgatisë studentin për lëndët e tjera klinike duke përdorur saktë terminologjinë anatomike, duke bërë ndarjen e trupit të njeriut sipas regioneve, duke njohur raportet e organeve me strukturat e tjera anatomike.

Histologji
Synimi është që studentët, që vijnë nga kurse studimi me programe të ndryshme, të fitojnë një bazë të domosdoshme njohje, për t'u përballur me studimin e anatomisë humane. Fusha e njohjes përfshin materialin e histologjisë së përgjithshme, që studion ndërtimin mikroskopik të indeve gjithnjë të lidhur edhe me funksionin, si dhe gametogenezën.

Fiziologji
Kjo lëndë ka si qëllim shpjegimin e funksioneve jetësore të njeriut, mekanizmave themelorë të funksioneve biologjike (duke marrë parasysh parimet kimiko-fizike ku bazohen), analizën e mbajtjes së homeostazës të mjedisit të brendshëm në nivel molekular, qelizor e indor ndaj ndryshimeve të mjedisit rrethues. Lënda, e zhvilluar në leksione e seminare, ndahet në një pjesë të përgjithshme (ku studiohet biofizika, elektrofiziologjia, funksionet e sistemeve të transportit e komunikimit në membranat biologjike) dhe në pjesën speciale (ku shqyrtohet funksionimi i organeve të ndryshme dhe integrimi i tyre në kontekstin e funksionimit të organizmit në tërësi). Kjo lëndë ka për qëllim të japë bazat molekulare dhe qelizore të funksionimit të organeve të ndryshme që përbëjnë trupin human, duke integruar konceptet e biologjisë, fizikës, kimisë.

Terminologji Latine
Kjo lëndë synon

  • Përgatitjen e studenteve me dijeni sa më të plota lidhur me njohjen e zbërthimin e kuptimit të termave mjekësore në tre drejtime: terminologjinë anatomike, atë klinike dhe farmaceutike; të lexuarit në mënyre korrekte të termave, njohjen e emërtimeve të ndryshme në lëndët mjekësore.
  • Aftësimin e studentëve në njohjen e medikamenteve dhe në të shkruarit e recetave, duke patur për bazë fondin leksikor greko-latin.
  • Edukimin e studentëve me një kulturë gjuhësore të përgjithshme në të kuptuarit dhe në përdorimin e ndërgjegjshëm të termave mjekësore.


Lëndë me Zgjedhje

Farmaci II

Kimi analitike
Lënda synon të drejtojë studentin në njohjen e kimisë analitike teoriko-praktike, duke dhënë bazat e nevojshme të analitikës klasike dhe instrumentale, për tu aplikuar në fushën e analizave farmaceutike, toksikologjike e ambientale. Lënda është propedeutike për lëndët e mëtejshme laboratorike të studentit, duke thelluar temat e kimisë së përgjithshme dhe duke u përballur me tema të reja.

Kimi organike
Objektiv i kësaj lënde është që studenti të fitojë një njohuri të kimisë organike bazë, të reaksioneve më të rëndësishme të saj, të strukturës së grupeve më të rëndësishme funksionore dhe të shndërrimit të mundshëm të tyre. Të gjitha këto me qëllim që studenti të vendoset në kushtet më të mira për të përballuar të gjitha lëndët që pasojnë kiminë organike (kimi farmaceutike, biokimi e farmakologji), në të cilat është i parashikuar studimi i molekulave organike me veprim biologjik, me vëmendje të veçantë ndaj reaksioneve të tyre në fushën biologjike, lidhjeve strukturë-veprim, transformimit të tyre dhe eliminimit nga organizmi dhe/ose sintezës së tyre në nivel industrial.

Biologji bimore e Botanikë farmaceutike
Kursi synon:

  • Dhënien e njohurive bazë në fushën e botanikës së përgjithshme dhe botanikës sitematike;
  • Njohjen e strukturave anatomo-morfologjike të bimës si: qelizat, indet, rrënja, kërcelli, gjethja dhe modifikimet e tyrë nën ndikimin e kushteve të veçanta;
  • Njohjen e rregullave bazë të emërtimit latin të taxoneve bimore;
  • Njohjen me grupet kryesore bimore;
  • Njohjen e emrave të specieve më të zakonshme dhe në veçanti të atyre mjeksore;
  • Dhënia e njohurive të përgjithshme për eko-fenologjinë e bimëve;
  • Dhënia e njohurive mbi shoqërimet kryesore bimore
  • Njohuri rreth Florës në Shqipëri;


Biologji molekulare
Qëllimi i përgjithshëm i kësaj lënde është të japë një pamje të përgjithshme të biologjisë në nivel molecular. Fusha e biologjisë molekulare është një mbivendosje e shkencave të tjera si biologji, kimi, gjenetikë dhe biokimi. Kursi i leksioneve përqëndrohet kryesisht në studimin e bashkëveprimeve të biomolekulave në qelizë, në të cilën përfshihet edhe ADN, ARN dhe biosinteza e proteinave. Për më tepër qëllimi specifik i këtij kursi është të japë njohuri mbi teknikat e biologjisë molekulare, të cilat janë shumë të rëndësishme në prodhimin e barnave apo preparative mjekësore të ndryshme.

Farmakognozi
Objektivi i kësaj lënde është dhënia e informacioneve mbi dallimin, ruajtjen, aktivitetin farmakologjik dhe përdorimin terapeutik të bimëve kryesore mjekësore. Do të ilustrohen gjithashtu efektet e padëshiruara të mundshme nga përdorimi i drogave, të vetme ose të kombinuara. Kuptimi i këtyre temave synon të sigurojë një njohuri të mirë të preparateve të bimëve mjekësore, të përdorimit korrekt të tyre për qëllime terapeutike dhe të efekteve të mundshme të padëshiruara nga përdorimi i tyre.
Modeli i ri i mësimit të farmakognozisë që përvijohet, duke u shtyrë nga ndikimet europiane dhe aplikimi i krediteve didaktike, paraqitet si një proçes formues fleksibël në një perspektivë të mësuari afatgjatë në të cilën i jepet hapësirë kulturës farmaceutike më të përgjithshme, për t'iu lejuar studentëve të rrisin dijen e tyre në harmoni me një kulturë të re të punës, në një kontekst ndryshimesh të vazhdueshme sociale e kulturore. Aplikimi i farmakognozisë në këtë bazë metodologjike çon në një ndërtim të dijes që synon profesionin në një proçes të integruar e modular që ndryshon nga e kaluara, jo dhe aq për gjërat që duhen ditur (drogat janë pak a shumë të njëjtat, përveç zbulimeve të reja) por për mënyrën se si ato paraqiten dhe mësohen.
Objektivat e ndryshme mund të përmblidhen në 3 pika:

  1. zhvillimi i aftësive autonome të të mësuarit dhe të vendimmarrjes (aftësia për të mësuar do të jetë bagazh për gjithë jetën);
  2. zhvilllimi i interesit shkencor dhe i qëllimeve profesionale (të diturit të rinovimit të motivimeve dhe interesit do të lejojë një vetëazhornim automatik);
  3. zhvillimi i aftësisë së komunikimit të dijeve të fituara (dija e të komunikuarit do të thotë mundësi operimi në fushën profesionale).

Programi ynë ofron mundësi që nëpërmjet një lënde kaq poliedrike t'i jepet studentit një projektim real i aspektit profesional në lidhje me barin natyror duke favorizuar inteligjencën kritike në ndërtimin e një njohurie me interpretime logjike personale që përbën prej kohësh shprehjen maksimale të profesionalitetit.
Produkti final është rezultati i përpjekjeve të përbashkëta të një grupi të tërë; puna e zhvilluar është frut i eksperiencave, leximeve, kontakteve personale me kolegë dhe mbi të gjitha me studentët.

Mikrobiologji e higjienë
Mikrobiologji
Pjesa e parë e kursit parashikon studimin e morfologjisë dhe të fiziologjisë së qelizave bakteriale, të majave, myqeve dhe të strukturës dhe të mekanizmave të replikimit të viruseve. Në këtë pjesë do të trajtohet origjina e mikrorganizmave në ushqime si edhe kushtet e shumzimit të tyre. Kjo pjesë është e rëndësishme për tu informuar edhe mbi rrugët e transmetimit të mikroorganizmave patogjene,shkaktues të sëmundjeve mikrobiale tek njeriu.Studimi i mekanizmave patogjenikë, infektimet, imuniteti, karakteristikat e mikroorganizmave patogjene (kryesisht baktereve) si edhe eleminimin e tyre.
Pjesa e dytë e kursit parashikon mikroorganizmat e pranishme në ushqime; endotoksinat dhe ekzotoksinat. Gjithashtu në këtë pjesë do të flitet edhe për diagnostikimin e infeksioneve kryesore bakteriale dhe virale tek njeriu. Njohuritë teorike përforcohen nga njohuritë e marra në praktikat laboratorike ku do të studiohet mikroskopi optik, metoda e ngjyrimit sipas Gramit, terrenet e ndryshme ushqyese, vëzhgimi mikrospopik i baktereve, majave dhe myqeve; përcaktimi I mikroflorës së ajrit,etj.

Higjienë
Në lëndën e Higjenës synohet formimi i studentëve të farmacisë mbi problemet mjedisore për shëndetin dhe vlerësimin e këtyre risqeve, si edhe menaxhimin e tyre. Ajri, uji dhe ushqimi janë përbërësit kryesore me të cilët ne ndeshemi çdo ditë dhe nevojitet të kemi njohuri mbi to. Si rezultat i urbanizmimit, vendbanimet humane kanë nevojë të kenë një sigurim të përshtatshem të furnizimit me ujë, ruajtjen e një gjelbërimi të mjaftueshëm, ruajtjen e cilësive të tokave dhe prodhimit të ushqimeve. Problem sot për popullatën përbën edhe ndotja kimike dhe ekspozimi ndaj lëndëve kimike mund të ndodhë në mjaft hallka të ciklit jetësor.

Patologji e përgjithshme
Studenti do të marrë njohuri të përgjithshme për procese të tilla patologjike si dëmtimi qelizor, inflamacioni, tumoret, si dhe për fizpatologjinë e imunologjinë, etj., në mënyrë që të parapërgatitet për trajtimin e temave për patologjitë në organe të caktuara.

Analiza e barnave I
Lënda ka për qëllim të pajisë studentët me koncepte teorike e praktike të teknikave kryesore të analizës cilesore të substancave me interes farmaceutik.
Përmes mësimit teoriko-praktik të teknikës së analizës cilësore të komponimeve inorganike, i domosdoshëm për njohjen e substancave me natyrë të tillë të përshkruara nga farmakopeja, kjo lëndë ka si objektiv një kuptim më të mirë të mekanizmave që i përkasin dukurive tipike të kimisë inorganike në tretësirë ujore, përfshirë dhe ato që ndodhin në organizëm. Baza të tilla njohjeje janë me rëndësi themelore për studimet e mëtejshme si të lëndëve me karakter kimik dhe atyre me karakter biologjik.
Meqenëse lënda parashikon ushtrime laboratorike individuale dhe të detyrueshme, i lejon studentit mësimin e praktikës eksperimentale kimike për të vepruar në mënyrë korrekte, të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme. Për këtë qëllim, parimet themelore të kimisë cilësore të aplikuar, në veçanti ndaj substancave inorganike me interes farmaceutik dhe toksikologjik ilustrohen në leksionet frontale dhe vihen menjëherë në praktikë në ushtrimet e mëpasshme.

Lëndë me Zgjedhje

Farmaci III

Produkte fitoterapeutike
Lënda synon të japë njohuri mbi parimet e përgjithshme në lidhje produktet Fitoterapeutike sipas sëmundjeve që përdoren. Do të diskutohet edhe mbi vetitë kurative të bimëve apo drogave me bazë bimore, treguesit, kundërindikimet lidhur me dozën e duhur dhe rrugën e marrjes.
Njohuritë për bimët mjekësore të qartësojnë mënyrat për të marrë një përfitim terapeutik apo për të përmirësuar gjendjen shëndetësore.

Nutricion e produkte dietetike
Objektivi i kësaj lënde është njohja e karakteristikave nutricionale të ushqimeve për planifikimin e një diete racionale, dhënia e informacionit mbi produktet ushqimore të përdorura për korrigjimin e patologjive të ndryshme ose për integrimin e tyre në situata fiziologjike të veçanta. Do të trajtohen produktet ushqimore për laktantët, dieta në moshën e tretë, në diabet, në shtatzani dhe laktacion, dieta vegjetariane, produktet ushqimore për sportistët, produktet dietetike në çeliaki, produktet për ushqyerjen parenterale, produktet me interes dietetik në erboristeri.

Biokimi
Gjatë plotësimit të programit të biokimisë mjekësore synimet do të arrihen nëpërmjet këtyre rrugëve:

  • ligjëratave që do të ndërthuren edhe me aktivizimin e studentëve gjatë kryerjes së tyre nëpërmjet pyetjeve, apo më saktë nëpërmjet një bashkëbisedimi të frytshëm me auditorin, në funksion të tërheqjes së vëmendjes dhe të interesimit të studentëve për temën/kapitullin që shpjegohet e analizohet
  • Baza e bashkëbisedimit do të jetë nxjerrja nga "arkivi i kujtesës" së studentit i fakteve apo të dhënave që duhet të jenë përvetësuar nga shkolla e mesme nëpërmjet lëndëve të tilla si biologjia e kimia, apo njohuritë mbi shëndetin, etj.


Farmakologji mjekësore
Lënda synon të japë

  • njohuri mbi parimet e përgjithshme në lidhje me mekanizmat molekularë e qelizorë të veprimit të barnave
  • të ilustrojë karakteristikat kryesore të grupeve të ndryshme të receptorëve, të mekanizmave përkatës mbi tipet e ndryshme të receptorëve, të mekanizmave përkatës të transduksionit dhe të efekteve rezultante nga modulimi i tyre nga ana e barnave agoniste dhe antagoniste
  • të shpjegojë parimet e përgjithshme që rregullojnë përthithjen, shpërndarjen, biotransformimin dhe ekskretimin e barnave
  • të ilustrojë mekanizmat e përgjithshëm të efekteve të padëshiruara dhe të ndërveprimeve të barnave.


Analiza e barnave II
Lënda ka për qëllim të pajisë studentët me koncepte teorike e praktike të teknikave kryesore të analizës sasiore klasike dhe instrumentale të substancave me interes farmaceutik.

Ekonomi ndërmarrje e farmakoekonomi
Ekonomi ndërmarrje
Studenti do të mësojë parimet mbi të cilat bazohet vlerësimi i një bari në kompleksitetin e tij (princip aktiv dhe formulim) dhe i shërbimeve shëndetësore nga një këndvështrim i efikasitetit terapeutik, dobisë dhe konveniencës. Gjithashtu do të analizohen problematikat që lidhen me marketingun dhe administrimin në industrinë farmaceutike, duke iu referuar në veçanti administrimit të farmacisë.

Farmakoekonomi
Studenti do të mësojë parimet mbi të cilat bazohet vlerësimi i një bari në kompleksitetin e tij (princip aktiv dhe formulim) dhe i shërbimeve shëndetësore nga një këndvështrim i efikasitetit terapeutik, dobisë dhe konveniencës. Gjithashtu do të analizohen problematikat që lidhen me marketingun dhe administrimin në industrinë farmaceutike, duke iu referuar në veçanti administrimit të farmacisë.

Teknologji farmaceutike I
Qëllimi i kësaj lënde është dhënia e një përgatitjeje të përshtatshme teorike e praktike për formulimin, përgatitjen dhe kontrollin, në nivel industrial dhe galenik, të formave më të zakonshme farmaceutike dhe të çdo lloj formule tjetër magistrale nëpërmjet aplikimit të teknikave galenike më të përshtatshme.
Njohja e përbërjes së formave farmaceutike si tradicionale dhe inovative do t'i lejojë farmacistit të kryejë funksionin e këshillimit dhe suportit për pacientin. Farmacisti përbën ndihmësin e parë mjekësor të cilit i drejtohet pacienti, sidomos për këshillat që i përkasin patologjive të vogla të përditshme, nga sëmundjet e stinës tek shqetësimet te fëmijët dhe të moshuarit, deri te shqetësimet e shkaktuara nga stresi etj. Farmacisti mund të japë një orientim korrekt për zgjedhjen terapeutike në vetëmjekimin e pacientit duke dhënë informacione mbi produktet e reja ose formulat e reja të barnave që ndodhen në treg. Njohuritë e fituara në këtë lëndë do të formojnë studentin për rolin që farmacisti ka për sa i përket "kontrollit" të përshkrimeve të mjekut. Përdorimi korrekt i një medikamenti, siç theksohet shpesh dhe nga pacienti, mundësohet nga farmacisti që jep udhëzime mbi pozologjinë, mbi mënyrën e administrimit, mbi përdorimin korrekt të formës farmaceutike.
Lënda do të përfshijë një pjesë teorike dhe një pjesë ushtrimesh praktike laboratorike në të cilën do të kryhen përgatitje galenike (magistrale ose oficinale) medikamentesh.

Kimi farmaceutike I
Lënda synon t'u japë studentëve konceptet e përgjithshme të Kimisë Farmaceutike të nevojshme për kuptimin e proceseve të projektimit dhe zhvillimit të barnave, si dhe të lidhjeve midis strukturës kimike dhe aktivitetit biologjik dhe ndikimin e karakteristikave kimiko-fizike të një bari në proceset farmakokinetike e farmakodinamike.
Në veçanti, studenti do të marrë njohuri mbi strukturën, mbi marrëdhëniet strukturë-veprim dhe mbi mekanizmin e veprimit të kemioterapeutikëve (antibiotikëve, antiviralëve, antimykotikëve, antihelmintikëve, antiprotozoarëve, antitumoralëve).
Objektiv i mësimdhënies është fitimi i aftësive për të korreluar në mënyrë racionale strukturën kimike të barnave me veprimin e tyre, toksicitetin, qëndrueshmërinë kimike dhe metabolike. Për disa nga barnat e analizuar parashikohet edhe studimi i metodave të sintezës të përdorura për përftimin e tyre.

Farmaci IV

Farmakoterapi

Farmakologji klinike
Kjo lëndë është strukturuar në mënyrë që të japë një përshkrim të veprimit të barnave në kushtet e ndryshme patologjike. Në veçanti, për secilin medikament tregohet mekanizmi i veprimit duke iu referuar në veçanti ndërveprimit me receptorë specifikë të membranës ose nëntipe të tyre, njësisve të tjera funksionale të qelizave si kanalet jonike, mesazherët dytësorë, receptorët bërthamorë etj.
Gjithashtu ilustrohen aspektet farmakokinetike të barnave të paraqitur, sidomos në lidhje me dozën e administruar dhe rrugët e administrimit, dhe përdorimit të tyre në patologjitë akute ose kronike. Përshkruhen gjithashtu efektet anësore dhe/ose toksike dhe ndërveprimet e mundshme me barnat e tjerë si për sa i përket aspekteve farmakodinamike dhe atyre farmakokinetike. Njohuritë në lidhje me barnat e veçantë përshkruhen kështu brenda një skeme terapie të vetme ose një politerapie që amplifikon përgjigjet terapeutike dhe pakëson efektet e padëshiruara ose toksike.
Lënda synon t'u paraqesë studentëve të gjitha informacionet mbi barnat e disponueshme aktualisht, në mënyrë që të kuptojnë përdorimin terapeutik në bazë të mekanizmit të tyre të veprimit, efektet e tyre anësore dhe ndërveprimet me barnat e tjera.

Toksikologji
Qëllim i kësaj lënde është t'u japë studentëve informacione thelbësore mbi parimet e përgjithshme që rregullojnë toksicitetin e një komponimi, mënyrat se si një helm mund të hyjë në kontakt me materialin biologjik, efektet ndaj organeve shenjë specifike, trajtimet farmakologjike, kriteret e mbrojtjes në punë dhe rreziqet që vijnë nga substancat toksike të pranishme në ushqim, në ajër dhe në ujë.

Biokimi e aplikuar
Qëllim i kësaj lënde është t'u japë studentëve informacione thelbësore mbi parimet e përgjithshme që rregullojnë toksicitetin e një komponimi, mënyrat se si një helm mund të hyjë në kontakt me materialin biologjik, efektet ndaj organeve shenjë specifike, trajtimet farmakologjike, kriteret e mbrojtjes në punë dhe rreziqet që vijnë nga substancat toksike të pranishme në ushqim, në ajër dhe në ujë.

Kimi farmaceutike II
Lënda synon t'u japë studentëve koncepte të kimisë farmaceutike të nevojshme për kuptimin e proceseve të projektimit dhe zhvillimit të barnave, si dhe të lidhjeve midis strukturës kimike dhe aktivitetit biologjik dhe ndikimin e karakteristikave kimiko-fizike të një bari në proceset farmakokinetike e farmakodinamike.
Kjo lëndë i mundëson studentit të mësojë konceptet kimike që lidhen me strukturat e disa grupeve medikamentesh. Në veçanti, përshkruhen barnat që i përkasin klasave kryesore terapeutike dhe ilustrohen karakteristikat e tyre kimike, farmakologjike e metabolike, rrugët e sintezës së tyre dhe marrëdhëniet strukturë-veprim. Objektiv i mësimdhënies është fitimi i aftësive për të korreluar në mënyrë racionale strukturën kimike të barnave me veprimin e tyre, toksicitetin, qëndrueshmërinë kimike dhe metabolike.

Analiza e barnave III
Kjo lëndë ka për qëllim t'u japë studentëve koncepte teorike dhe kompetencat praktike të nevojshme për njohjen dhe kontrollin e cilësisë së substancave organike dhe metalo-organike më të zakonshme për përdorim farmaceutik të përshkruara në farmakope, përmes përcaktimit të vetive të tyre kimiko-fizike. Së bashku me kurset e tjera të analizës së barnave, kjo lëndë kompleton formimin teorik dhe praktik të studentit në fushën e analizës cilësore e sasiore të substancave me interes farmaceutik.

Teknologji farmaceutike II dhe Legjislacion Farmaceutik
Teknologji farmaceutike II
Qëllimi i kësaj lënde është dhënia e një përgatitjeje të përshtatshme teorike e praktike për formulimin, përgatitjen dhe kontrollin, në nivel industrial dhe galenik, të formave më të zakonshme farmaceutike dhe të çdo lloj formule tjetër magistrale nëpërmjet aplikimit të teknikave galenike më të përshtatshme.
Lënda do të përfshijë një pjesë teorike dhe një pjesë ushtrimesh praktike laboratorike në të cilën do të kryhen përgatitje galenike (magistrale ose oficinale) medikamentesh.

Legjislacion Farmaceutik
Objektivi i kësaj lënde është njohja me organizimin e shërbimit farmaceutik dhe legjislacionin shëndetësor në Shqipëri dhe kryesisht me ligjet dhe aktet ligjore që rregullojnë aktivitetet profesionale farmaceutiuke si ligjin për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik, Ligjin për Barnat Narkotik dhe Lëndët Psikotrope, ligjin për Sigurimet Shëndetësore, ligjin për Urdhërin e Farmacistit, ligjin për Profesionet e Rregulluara dhe Ligjin Për Kujdesin Shëndetësor. Rëndësi të veçantë në këtë aspekt do të kenë njohuritë për farmakovigjilencën, praktikat e mira të fabrikimit, shpërndarjes, ruajtjes së barnave si dhe praktikat e tjera të mira si ajo klinike, laboratorike e tjera.
Kjo lëndë synon t'u japë studentëve kompetencat dhe njohuritë mbi instrumentet legjislative të kërkuara për shpërndarjen e medikamentit pacientëve si në farmaci dhe në shërbime të tjera farmaceutike, mbi kodet etike që farmacisti duhet të ndjekë dhe mbi të drejtat e pacientëve.

Farmaci V

Biokimi klinike
Kjo lëndë synon të japë bazat e biokimisë klinike dhe biologjisë molekulare klinike të nevojshme për të kuptuar rëndësinë e analizave kryesore biokimiko-klinike rutinë dhe speciale në monitorimin e shëndetit të njeriut edhe në lidhje me trajtimet farmakologjike dhe ndërveprimet midis barnave. Tema te tjera janë:

  • Organizmi si sistem homeostatik.
  • Bazat biokimiko-klinike të ndjeshmërisë ndaj patologjive dhe të parashikimit të përgjigjes individuale ndaj trajtimeve farmakologjike dhe zhvillimit të efekteve të padëshiruara.


Lëndë me zgjedhje

Praktikë profesionale

DIPLOMA

 

Who's Online

We have 33 guests online

S5 Box

S5 Register

*
*
*
*
*

Fields marked with an asterisk (*) are required.